Shopping Cart
Your Cart is Empty
Quantity:
Subtotal
Taxes
Shipping
Total
There was an error with PayPalClick here to try again
CelebrateThank you for your business!You should be receiving an order confirmation from Paypal shortly.Exit Shopping Cart

Albanian-American Freedom House

Albanian-American Freedom House

News

News

REVOLTA E SPACIT

Posted by ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE on November 18, 2015 at 2:55 AM


Nga Lekë Tasi


LIBRI “ REVOLTA E SPAÇIT” I BEDRI BLLOSHMIT


Libri “Revolta e Spaçit” i Bedri Blloshmit, i botuar sëfundi, jep dokumenta dhe dëshmi mbi ngjarjen kulmore të rezistencës antikomuniste në këtë kamp gjatë tri ditëve 21-23 Qërshor 1973. Me punën e tij të palodhur në dokumentimin e krimeve komuniste mbi popullatën e sfilitur të kampeve, Bedriu mbetet zëri i parë denoncues me letra në dorë i paligjësive flagrante të atij regjimi. Metoda e tij është të vërë arkivat të flasin Eshtë meritë kryesisht e këmbënguljes së tij që kjo vazhdë paligjësish po mbetet në vëmendjen e publikut dhe shpresojmë edhe të ndërkombëtarëve. Shumë vuajtës të tjerë me mendësi më “praktike” e kanë braktisur këtë kapitull të së kaluarës tragjike duke u lënë fushë të lirë forcave që ato masakra e tortura duan t`i quajnë një hollësi të parëndësishme të mbasluftës. Ai jo! Mbetet i përkushtuar që ta vazhdojë sa të ketë mundësi dhe frymë ndriçimin e gjithshkaje të ndodhur në ferrin e burgjeve e kampeve, po edhe në mbarë vendin, në dobi të një ndërgjegjësimi të gjithë opinionit. Dokumentin nuk e kundërshon dot askush. Në këto libra të tij të mbushura me dokumentet e regjimit (që nga hetuesi, te gjyqsori e te kuvendi popullor), del e qartë që sistemi komunist ka synuar mbi të gjitha të shkelte me këmbë, ta asgjësonte vullnetin e individit, jo vetëm të kundërshtarëve, por edhe të vetë përfaqësuesve të ligjit që kishin për detyrë jo t`I shkelnin por t`i mbronin të drejtat e individit. Panorama që rezulton prej tyre është e trishtë në kulm, një aparat rrogtarësh që edhe pse me funksion mbrojtjen e ligjit, nuk heziton të vihet në shërbim të gënjeshtrave më absurde, dapo dikush nga lart u jepte “orientimin”. Nuk besoj të ketë periudhë të historisë sonë ku zyrtari të jetë katandisur një hije e bindur e pushtetit, sa ajo e dekadave kur Shqipëria u izolua tërësisht edhe nga ish miqtë e saj të kampit socialist. Por sëbashku me shkeljet barbare të dhunshme të ligjit, del në pah edhe forca morale e të burgosurve. Krahasimi mes dy rasteve përbën vlerën e librit. Në faqet e tij lexuesi e ka portretin e një pushteti të gatshëm jo vetëm për të mposhtur të çdo shkëndie rezistence sado të arsyeshme qysh pa nisur procedura, për të përdhodur çdo të drejte njerzore. Të habit njëkohësisht sesa indiferent tregohej ai për gjurmat trashamane që kjo praktikë e tij do linte mbrapa në arkiva, e zeza mbi të bardhë, Bie në sy gjithashtu tek libri I Blloshmit numuri i shpërpjestuar ndaj popullsisë i efektivit të burgjeve ( dhjetra kampe e burgje me qindra të burgosur secili, dhe një ordhi e tërë policësh për t`i ruajtur). Efektivi i të dënuarve përbëhej nga të rinj e burra të çdo moshe, që u përkisnin familjeve o krahinave ende të pashtruara plotsisht, (rasti më flagrant familja Blloshmi, që duke qënë në pikën e kalimit të formacioneve komuniste nga Jugu në Veri, si edhe familja Biçaku u vuri pushkën partizanëve dhe për këtë pati më von plot të ekzekutuar ) por edhe të tjerë që u binte shorti të rrëmbeheshin nga gjiri i familjes dhe të mbushnin planin e prodhimit të mineralit , vargan minatorësgh pa pagesë dhe pa masa sigurie në ferrin e kampeve sidomos të Veriut. Raportet e hetuesve bëjnë fjalë për organizim revoltash ( sigurisht krejt imagjinare kur mendon se u referohen personave që s` kanë minimumin e hapësirës për ta bërë një gjë të tillë;). Janë metoda hetimesh tërësish antiligjore sadoqë me firma dhe vula, dhe pranë tyre, nga deponimet e të hetuarve vërtetohet pafajsia e tyre, sepse kërkesat e tyre janë vetëm për kushte pune e jetese më njerzore. Derisa , duke u shtuar presioni policor, revolta shpërthen, e vërtetë këtë rradhe. Eshtë e qartë që diktaturës së terrorizuarr nga frika e një ekonomie të dështuar i duhej një matje forcash e vazhdueshme, një sfidë e shtrëngim i paprerë me ata që kishte nën thembër, për ta mbajtur klimën të egërsuar, me një fjalë për ta pasur ajo përherë thikën nga ana e murrurit.. Për këtë arsye gjendej përherë një pretekst rreziku të shpikur, që të kalonte si erë e ftohtë nga burgu–jashtë dhe nga jashtë në burgje, dhe mbi të gjitha vigjilencë se mos ndodhte eventualisht një vllazërim mes rojeve dhe vuajtësve, vllazërim për të cilin të revoltuarit hodhën parrulla. Pra mosbesimi i diktaturës edhe ndaj veglave të saj të armatosura, sidomos ndaj ushtrisë., qe ankthi që i prishte gjumin diktatorit , dhe që u shpall disa muaj mbas Spaçit me kurthin që ai u ngriti gjeneralëve. Por revolta e Spaçit dhe mënyra si u zhvillua, është një motiv nderi për kategorinë e djemve të dënuar politikisht dhe për atë pjesë të madhe të popullit që e ndjente peshën e rëndë të diktaturës, motiv nderi në krahasim me gjyqin e gjeneralëve , sepse, me sa është marrë vesh deri sot, gjeneralët ( disa prej tyre ndofta) e shumta mund ta kenë pasur vetëm ndërmend puçin, në fakt atyre iu krijua artificialisht prej Enverit – po e përësris me të dhënat që kemi deri sot.. Kurse të burgosurit e Spaçit e më von të Qaf Barit, të paushqyer e pa asnjë armë në dorë, e bënë fora në revoltë të vërtetë megjithse të rrethuar e me ujin e bukën në dorë të komandës.. . Ndodhi prej kombinimit të dy faktorëve, vuajtjes sfilitëse dhe presionit çnjerzor të komandës, që kërkesat e tyre u shndërruan nga ordinere në politike dhe kombëtare, duke i hequr yllin flamurit, duke iu drejtuar OKB-s e duke u rezistuar veç me drurë trupave special me skafandër e të armatosura gjer në dhëmbë. Kjo revoltë pra sëbashku me revoltat e tjera më herët e më vonë përbën histori, një histori nderi por që nuk është ndriçuar plotsisht as sot mbas 25 vjet gjoja pluralizëm. Dhe gjaku i djemve të Spaçit e të Qafë Barit, e meriton vendin e tij të nderit në Panteonin tonë të lirisë, të populluar në një pjesë të mirë me vlera të dorës së dytë. Veprimi i paprerë botues i Blloshmit me libra si “Fabrikimi i Vdekjes” (që pasqyron gjyqin ndaj dy djemve poetë të Librazhdit ,nisur me porosi për t`i ekzekutuar – titulli i librit nuk mund të gjendej më i goditur nga ky.. ),”Rrëfime nga Ferri Komunist”, “Revolta e Qaf Barit dhe Terrori Komunist 1943-1990”, tani “Revolta Spaçit”, më herët krijimtaria poetike e Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës, vlen bashkë me vepra të autorëve të tjerë shumë të njohura tanimë, At Zef Pllumi, Ejëll Çoba,K.B.Mirakaj, Fatos Lubonja, D.Simon Jubani, Luan Myftiu, Agim Musta, V.Zhiti , U.Kostreci,U Kalakulla, M.Velo..B.Çoku, S.Repishti,R.Kripa dhe e shumë autorëve të tjerë mbi jetën në burgje e kampe, me dëshmi të hollësishme për ridënimet, ekzekutimet të vendosura direkt nga instanca e lartë, vlen për tua bërë të njohur brezave të rinj terrorin dhe paligjësinë komuniste .Eshtë kjo lloj literatyre që do të ndihmojë ndërtimin e demokracisë së vërtetë duke demaskuar demokracinë e përmbysur që na u hoq qafe për shkak të kushteve ndërkombëtare por që mbetet sindromë e përpjekjejeve të mbas 90ës, për ta përdorur pushtetin me anë imponimi dhe dizinformimi. Këta libra ndihmojnë për ndërtimin e një shoqërie dinjitoze pikërisht sepse evidentojnë vlera civile të mbrojtura me gjak e vuajtje të pashoqe. Por deri sot njohja e herojve që i rezistuan terrorit,vendosja e shembullit të tyre si gur themeli i përtëritjes morale nuk ndodh sepse nuk pranohet qëllimisht rëndësia e tyre historike , prandaj dhe s`kemi as shenja të një demokracie reale, por kemi, përveç plagës së pashërueshme të korrupsionit, dhe frymës së diktatit, një atmosferë qesharake debatesh, , pra e kundërta e disponimit serioz për debat shtetformues që priste populli në 1991. Atyre djemve që dhanë jetën në luftë të pabarabartë me diktaturën u janë bërë nderime në raste përvjetorësh sa për të kaluar rradhën, por jemi akoma larg që tu njihet roli si pararendës të demokracisë. Sepse vetë kalimi i pushtetit në vitin 1991 në fakt nuk ndodhi si akt përtëritjeje dhe demokracie , por qe një dorëzim çelsash “brënda klikës” . Duhet pa tjetër të marrë fund fryma e vjetër që argumenton se..” këtu ka pasë shtet, ndaj shkeljet që evidentohen në këta libra kanë qënë tepërime të burokracisë, që nuk prekin thelbin e fitores mbi fashizmin” e të tjera justifikime; ajo frymë ruajtje të së vjetrës të zëvendësohet nga ideja e lirisë siç e aspironin ata djem, pra e përfaqësimit real, të braktiset në fakt praktika e rrënjosur me shekuj se e reja duhet të ngrihet brënda pallatit dhe mbi terrenin ekzistues , që do të thotë, punën e bën tarafi , dhe jo personaliteti që sjell ide të reja. Për të fituar kjo e dyta, siç e kërkon në fakt pjesa dërmuese e opinonit. Në 100 vjet shtet, nga pezmi ndaj dështimeve, është rritur personaliteti kundrejt psikologjisë së tarafit, dhe aq më tepër në 25 vjetët e fundit me hapjen ndaj botës. Prandaj duhen luftuar pretekstet që personalitetet, të frenohen. Në fakt, tek ajo revoltë e 21 Majit 1973 , përveç katër të ekzekutuarve, e sfiduan rrezikun për dënim kapital edhe shumë të tjerë po aq të vendosur në organizimin dhe rezistencën e saj-- 67 të ridënuar si pjesëmarrës aktivë nuk ësht numur i pakët. Pra nuk është modeli që na mungon, kurajo civile në shoqërinë moderne, do të thotë jo vetëm dinjitet vetiak, por edhe qartësi për një kauzë shoqërore e kombëtare, dhe në Spaç ajo u shpalos në masë . Flamuri pa yll dhe gjaku i katër djemëve, parrullat që u hodhën nga qindra të burgosur, përbën një stacion në historinë tonë, s`mund të ketë kundërshtime për këtë, dhe si i tillë duhet të trajtohet. Prandaj ecja mbrapsh që kemi provuar në këto 25 vjet me praktikat prepotente të tarafeve është krejt jashtë vendi dhe tërësisht e dalë mode. Kategoria e ish të përndjekurve, duhet të jetë bartësja e ideve përtëritëse , dhe të mos humbë rrugën në konflikte të kota të nxitura nga të tretë për të ngritur rrëmuja. Vërtet ajo ka probleme jetese ende të pazgjidhura, por mendoj që në këtë sektor ajo duhet ta konsiderojë veten “grup interesi”, me një prestigj që nuk mund t`i ngjasë askuj tjetër për nga rëndësia, dhe të negociojë me çdo qeveri si i tillë, pra në barazi të plotë dhe pa preferenca paraprake. Nuk ka nevojë të preferojë ndonjë palë që e ka marrë mbrojtjen e saj rrugës, me që ka hapur fjalën se i ngjaka. Ngjashmëria ose jo e saj me ne u provua me të tepërt në dy dekada si e paqënë; frytet konkrete të secilës nga dy pjesët që dolën prej ndarjes së ish nomenklaturës, janë ato që ngrejnë peshë, pra duhen vlerësuar për aq sa kanë ndihmuar realisht këtë kategori të raskapitur dje dhe sot.. Simpatia e tepërt falë premtimeve e jo realizimeve tregon oportunizëm ose naivitet. Nëse do të jetë fjala për drejtim mirfill politik, dhe një moment i tillë po bëhet imperativ, kategoria e ish të përndjekurve duhet të shohë përsëri nga rezultatet se me ç`lloj njerëz e forca mund të dialogojë që të realizojë jo vetëm kërkesat ekonomike, por mbi çdo gjë tjetër, amanetin e atyre që u vranë në burgje e kampe dhe u vetflijuan më pas, në vitet që po jetojmë. pra si të vendoset realisht demokracia në Shqipëri. Kjo ësht e vetmja politikë që i inereson. Çdo konsideratë tjetër se këtë detyrë mund t`ia delegojë dikuj mbi bazë simpatish e gjoja ngjashmërish doli e kotë, humbje e madhe kohe, pra tejet e dëmshme. .. .

Categories: None