Albanian-American Freedom House
Albanian-American Freedom House
News
|
Nga Lekë Tasi
PAVARESIA - PO BEHET EFEKTIVE 104 VJET MBAS SHPALLJES SE SAJ?
Pavarësia kërkon dhe politikanë të pavarur, përndryshe mbetet vartësi. Parësore për politikanin është pavarësia personale, dhe dytësore të harmonizojë veprimet e tij me ato të udhëheqsit. Kjo bëhet sot më aktuale se kurrë. Nuk ka besë në politikë, ka vetëm akordim , bashkëpunim, dhe herë-herë përplasje. Këtu qëndron ndershmëria ndaj interesave kombëtare. Në fakt, jo aq ndershmëri, por koherence me pjesën që përfaqëson deputeti. Përderisa politika vepron në grupe interesi, pabarazia, pra padrejtësia është e deklaruar, çdo entusiazëm ësht hipokrizi, e vetmja që lejohet është jam më i mirë se rivali. Ndaj aktorëve politikë u kërkohet sëpaku besueshmëri në zotimin e tyre të njohur botërisht, dhe çdo ndryshim eventual të këtij, ta argumentojnë bindshëm. Kjo transparencë u jep të drejtën dhe bile detyrën t`ia kthejnë fjalën edhe shefit që kanë mbi kokë, kur ai shkel gabim, ose në mosakordim me ligjin. Botkuptimi i njejtë dhe ligji i lidh politikanët e një pale, kurse në raste konflikti mes të dyjave, ka dhe dorëheqje. Kjo është struktura e një vendi të pavarur, ku diskutimi i shtruar, dialogu i fortë, dhe e fundit kriza qeveritare, prodhojnë një jetë normale. Pa britma dhe alarme kur s`ka punë për to. Për ç`farë tjetër duhet shefi, nëse nuk ësht aq i fortë në argumentim sa të bindë kolegët, në mos, duhet të pranojë qeverisjen e një tjetri si gjithë bota? Nëse ai vetëm dikton, dhe madje bën santazh, kjo është shenjë vartësie, dhe ai duhet dëbuar, si në lashtësi, që çonin në mërgim edhe një triumfator e politikan gjenial si Themistokliu (që në fakt intrigonte shumë, dhe e keqkuptonin megjithë meritat e tij jasht diskutimi). Sjellja autoritare tregon jo autoritarizëm por vartësi, këtë e tregon eksperienca e jonë 100 vjeçare me shumë shembuj. Me që erdhi fjala, ja dhe e kundërta, përjashtimi, që vërteton rregullin. Në Korçën e 1917-ës Themistokliu ynë, Gërmenji, e mërgoi veten mu në strofkën e armikut, me vetëdijë të rrezikut, dhe atje dha jetën që Shqipëria të zinte rrënjë . Por ai kishte përreth burra të aftë e të ndershëm që me pikëllim në zemër vazhduan punën e tij, dhe nuk u gëzuan që u zhduk një rival. Ata bënin punë, por i largoheshin pushtetit, ofiqeve, ndihmonin me të gjitha fuqitë, por i shmangeshin pozitës. Ndaj, jo vetëm u treguan të pavarur, por vunë në vartësi Francën! Duke treguar unitet, dhe me fuqinë e gjakut të Kreut të tyre, ia morën dorën Francës nga kyçi, dhe e detyruan (noblesse oblige) të firmoste orën e fundit e me një taktikë rokamboleske në Versajë integritetin territorial të Shqipërisë.
Pavarësia e politikanëve sjell edhe fundin e partive me disiplinë leniniste ose naziste, dmth sjell shpëtimin e Shqipërisë. Eshtë tepër e vështirë të shndrrosh një tradite fisnore dhe izolimi në një Shqipëri të tipit Korçë e 1917, përkundrazi sot po kemi një afrim të Korçës me modelin predominues. Një pjesë e madhe e jona e ndien bashkërreshtimin me kreun si çështje nderi, pra detyrim moral. “I kam dhënë besën” thotë tjetri, dhe s`luan nga vendi. Kjo ësht më e keqja! E keqe sepse kreu gjatë këtij shekulli na vihej përhere nga i huaji, falë lëshimeve që ai i bënte fshehtas, por që ne i dinim shumë a pak, dhe u përshtateshim. Pra pavarësinë e kthenim vetë në vartësi, dhe falë popullaritetit në një krahinë ose trimave të mbledhur rreth tij me mjetet e të huajit fort të stërvitur me psiklogjinë tonë dhe me njerëz të blerë që agjitonin në favor, qeverisja e vendit shndrrohej shpejt në autokrate, që do të thotë e varur, për turpin e shumë politikanëve që në fillimet i afrohen kreut ndofta me qëllime të mira, dhe mbeten aty. Rezultatet i shohim sot. Jo të gjithë kanë vetinë e të qënit klasë e mesme, aftësi për të krijuar jetën e rehatshme për familjen, pra dhe e ndjejnë natyrshëm neverinë për atë jetë parazitare afër pushtetarit. Në Shqipëri zhvillimi i pakët ekonomik, u ka dhënë historikisht hov posteve zyrtare; të kesh një vend pranë kreut, veturën tek dera, daljen në ballkon krahë tij, kanë qënë gjerat më të lakmuara për shumicën. Braktisnin edhe gjëra të dashura, bile dhe sigurinë e kokës, për hir të tyre. Vetëm hyrja në skenë masivisht e klasës së mesme i shmang komedi të tilla, dhe ky është shpëtimi i dytë dhe më i bazuar i vendit. Të dalësh në mëngjes nga shtëpia dhe të kërkosh në gazetë sa kanë lëvizur titujt e bursës, kjo i ha brumët politikës, ia heq huliganët e gatshëm për çfardo send që t`i shkrepë kreut. Konkretisht klasa e mesme, sot në formim e sipër falë diasporës dhe hapjes me botën, ua lë politikën specialistëve që janë shkolluar për të, dhe kanë vizion origjinal për të projektuar e realizuar progresin. Ata janë gjakftohtë, nuk shajnë, diskutojnë me zë normal, dhe ky ësht shpëtimi i tretë i Shqipërisë, dhe njëherazi zhgënjim definitiv i të huajit që komandonte kreun e radhes, dhe që kupton tani se duhet të gjejë një rrugë tjetër për të fituar pikë tek ne, brënda arsyes së fqinjësis në barazi. Ky ndryshim shpresojm këtë radhe të ndodhë, sepse për çudi janë të huajt, por të një lloji tjetër (jo më ata të devizës “lëre këtë vend edhe ca” ), që ngulin këmbë me politikanët, të çdo drejtimi, që të ndodhë ndryshimi, dmth që të lirohen nga psikoza e porosisë nga lart. Kush ësht i prerë për politikë (dmth i ka aftësitë krijuese, idera) nuk ka nevojë as të bërtasë, as të shqetsohet nga mënjanimi i përkohshëm. Aftësitë e tij do t`i gjejnë një vend diku, bile ngjitjen lart, ato janë vlera që çmohen në “bursën” politike o sociale, dhe po u vjen radha të kërkohen, kusht i favorshëm për këtë do jetë edhe bursa e mirëfilltë, ajo financiare, e cila, po të dojë bashkësia ndërkombtare do të krijohet. Kështu edhe fjala që ka qarkulluar se Fuqitë e mëdha na kanë lënë për një afat 100 vjeçar në dorën e fqinjit verior të krijuar nga LPB, mund të vërtetohet ekzakt, e jo e vonuar, sepse formimi Krahinës Autonome të Korçës, mbush 100 vjet në Dhjetor të vitit që jemi. Festohet a nuk festohet me madhështi, pak rëndësi ka. Ia lëmë Vlorës atë nder, mjaft që të njihet dhe të funksionojë si shenjë e normalitetit modeli i saj. Të kemi normalitetin, këtë mrekulli, që çdo emër mund të meritojë përveç mrekullisë.
Categories: None